Kryetari i Parlamentit Kadri Veseli përuron fabrikën e paneleve solare në Fushë Kosovë
- rilindjashqiptare
- Jun 2, 2016
- 2 min read

Kryetari i Kuvendit të Kosovës , Kadri Veseli mori sot pjesë në përurimin e fabrikës së paneleve solare në Sllatinë të Fushë Kosovës , një investim i përbashkët Kosovaro-Gjerman .
“Investitoret si ju , janë shembulli me i mirë se çfarë i duhet sot Kosovës . Neve na duhet të investojme në “Greenfield Projekte”, të cilat kanë perspektivë , jo vetëm në Kosovë , por gjithashtu kanë potencial të jashtëzakonshëm për eksport . Kosova ka nevojë për investitorë si ju të cilët investojnë në energjinë e paster”, tha Veseli duke përgëzuar investitorët për punën e bërë .
Të tilla investime kanë efekt të drejtpërdrejt në mbrojtjen e ambientit dhe zvogëlimin e nivelit të gazrave që vjen nga format tradicionale të prodhimit të energjisë . “Askush më shumë se sa ne në Kosovë nuk e ka ndjerë efektin negativ të ndotjes nga format tradicionale të prodhimit të energjisë”, për të shtuar se “prodhimi i energjisë solare , në krahasim me metodat tradicionale , ku kryesisht investimi është në makineri intensive , në këtë rast kërkon angazhim të shtuar të fuqise puntore , pra vende të reja të punës”.
Më tutje Kryetari Veseli theksoi se “Kosova ende ka shumë punë për të bërë në përmbushjen e të gjitha kritereve dhe nevojave të investitorëve , mirëpo ajo çfarë mund të ju garantoj është ju do të keni një avokat tek unë dhe Kuvendi i Kosoves , për të gjitha çeshtjet . Do të punojmë në një pako ligjesh që stimulojnë iniciativën e lirë ekonomike , dhe përkrahin sipërmarrësit që kanë ide dhe kapital për të investuar në Kosovë . Kjo është rruga e vetme që sjell rritje ekonomike , shtim të vendeve të punës , bilanc pozitiv tregtar dhe rrjedhimisht ngritje të mirëqenies së qytetarëve”.
Comments