Kosova merr një miliard euro në vit nga diaspora
- rilindjashqiptare
- Oct 2, 2016
- 2 min read

Remitancat nga diaspora që marrin qytetarët e vendeve të rajonit luajnë një rol të rëndësishëm në gjendjen ekonomike dhe sociale të qytetarëve .
Në disa familje remitancat janë burimi i vetëm i të ardhurave të tyre dhe ndikojnë dukshëm në standardin e jetesës , ndërsa pa këto të ardhura për disa familje do të ishte shumë më vështirë se sa tani .
Sipas të dhënave të marra nga Anadolu Agency (AA) , Kosova është vendi i cili fiton më shumë remitanca nga mërgimtarët e diasporës , me një shumë prej 700 milion euro në vit , pastaj vijon Shqipëria me mbi 500 milion euro dhe Maqedonia me të paktën 400 milion dollarë . Këto informacione tregojnë se qytetarët të ardhurat nga diaspora , kryesisht i përdorin për nevojat themelore për jetesë .
Edhe pse duket se deri më tani është vështirë që këto të ardhura të përdoren për diçka tjetër, analistët e ekonomisë rekomandojnë se fondet nga remitancat mund të përdoren për fillimin e programeve për mikro-ndërmarrjet apo përdorimin e tyre për ndonjë program për punësim ose vetëpunësim.
Këshilltari i lartë politik në Ministrinë e Diasporës, Kushtrim Sheremeti , për AA bëri të ditur se diaspora e përbën fuqinë më të madhe ekonomike të Kosovës . Ai duke vënë në dukje se të ardhurat nga diaspora janë rreth 700 milion euro në vit, theksoi se, "Një prej të hyrave kryesore që shteti i Kosovës merr janë remitancat nga diaspora që jetojnë gjithandej botës".
Ai shtoi se këto shuma janë sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës dhe nënvizoi se një shumë tjetër e madhe vjen në mënyra jo formale tek familjarët e diasporës, të cilat nuk i monitoron Banka Qendrore .
“Gati secila familje kosovare pranon remitanca nga diaspora . Nëse llogariten edhe këto mund të themi që të ardhurat nga diaspora për një vit janë rreth 1 miliardë euro”, tha Sheremeti.
Ai gjithashtu bëri të ditur se përveç remitancave , diaspora kontribuon edhe nëpërmjet asaj që quhen investime të huaja direkte. “Një pjesë e madhe e këtyre investimeve janë investime pikërisht të diasporës sonë, por trajtohen si investime të huaja për shkak se pjesëtarët e diasporës tonë janë njëkohësisht edhe shtetas të huaj”, tha ai .
Sa i përket shfrytëzimit të këtyre remitancave, Sheremeti theksoi se ekzistojnë disa programe, nëpërmjet të cilave që nga viti i ardhshëm këto të ardhura do të kanalizohen në zhvillimin ekonomik të vendit, sidomos në fushën e bujqësisë dhe në atë të teknologjisë informative .
Comments