top of page
123.jpg

Mësuesja që sfidon izolimin e rrezikon jetën për t’u dhënë mësim fëmijëve

  • Writer: rilindjashqiptare
    rilindjashqiptare
  • Oct 20, 2016
  • 4 min read

Atje ku kanë frikë të shkojnë shumica e njerëzve , madje edhe policia , Liljana Luani dërgon libra , sende të tjera shtëpiake , por mbi të gjitha, përvojën e saj të gjatë në ndihmë të familjeve të prekura nga tradita e gjakmarrjes .

Mësuesja 56-vjeçare nga Shkodra përdor kohën e saj të lirë për të udhëtuar në fshatrat e largëta ku fëmijët jetojnë të ngujuar . Fshatarët nuk reagojnë , madje edhe qeni që ruan shtëpinë e njeh, ndërsa Liljana hap portën metalike dhe hyn në një shtëpi të mbyllur . Por ndjenja e rrezikut është përherë e pranishme .

Liljana e di se puna e saj është e rrezikshme, por për të , kjo nuk është thjesht një punë , por një mision .

Kur foli me agjencinë Associated Press , në shtëpinë e një djali të ri të ngujuar , ajo sapo kishte përfunduar orët e mësimit në matematikë , gjuhë dhe “Odisenë” e Homerit . Zonja Luani thotë se ajo është e lidhur emocionalisht dhe e ka shumë të vështirë kur sheh fëmijët që vuajnë .

“Unë jam mësuese dhe fjala mësuese nuk është profesion, është mision . Unë e dua jashtë mase profesionin tim . Jam tejet e lidhur me fëmijët . I dua fëmijët , e dua profesionin dhe sinqerisht nuk duroj dhe nuk kam zemër kur i shoh fëmijët duke vuajtur . Kjo është ajo që më bën mua që të shkoj derë më derë tek fëmijët që kanë problem me gjakmarrjen . Jetoj me vuajtjet e tyre , jetoj me dhimbjen e tyre , të familjarëve të tyre , dhe jam e përfshirë shumë edhe emocionalisht”.

Në këtë shtëpi e vjetër , një grua 40-vjeçare qëndron aty e ngujuar me tre bijtë e saj adoleshentë të moshave 14 deri në 19 vjeç . Ata përdorin një oborr të vogël për të rritur perime, dhe për të mbajtur pula dhe një lopë .

Fqinjët dhe të afërmit i ofruan ndihmë, ndërsa zonja Luani bindi kompaninë energjitike t’i siguronte energji me ulje çmimi .

Bashkëshorti i zonjës së shtëpisë është në burg për vrasje dhe familja nuk është mësuar me vizitorë . Gruaja qan shpesh , ndërsa dy djemtë më të mëdhenj shkojnë tek një dhomë tjetër , me sa duket nga zori që u vjen të pranojnë se ata nuk largohen kurrë nga shtëpia .

Luani i jep mësim djalit më të vogël, me shpresën se do ta ndihmojë atë t’i shpëtojë ciklit të dhunës .

Shumica e përpjekjeve, thotë ajo, përqëndrohet për t’i bindur nënat t’i mësojnë djemtë që mos të vazhdojnë me hakmarrje . Ajo i shoqëron ato në kurse ku gratë mësojnë rreth gatimit, higjienës dhe kujdesit personal .

Zakonisht vetëm burrat janë të detyruar të ngujohen ose të marrin hak . Por gjakmarrja, e cila nuk lejohej gjatë kohës së komunizmit , vazhdon të praktikohet në zonat e thella , ku sundimi i ligjit është i dobët .

Cikli i gjakmarrjes mund të fillojë për një sërë shkaqesh , duke përfshirë vrasje, vdekje aksidentale , mosmarrëveshje për pronat , ose edhe kur bëhet një akuzë e rëndë e rreme.

Gratë në përgjithësi nuk përfshihen, dhe kjo i lejon ato të dalin nga shtëpia . Por vrasjet për të marrë gjak jo gjithmonë ndjekin rregullat tradicionale dhe shpesh përfshijnë edhe gratë dhe të miturit .

“Unë kam pas një nxënës që e vranë para dy vjetësh. Ai ishte adoleshent.”

Luani thotë se ajo e kujton me trishtim djalin e ri i cili këmbëngulte të shkonte në shkollën dhe u vra në një pritë .

“Ishte me balluke të bardha , me sy bojëqielli . Edhe unë , kur bënte shumë sherre në shkollë, më pëlqente që ta dënoja (në thonjëza) . Edhe i futsha dorët me i prish flokët për me e dënu kur bënte sherre. Dhe më thonte , ‘mësuese , më bëj ç’të duash por mos m’i prish flokët’. Shumë shpejt ia prishi plumbi. Kurrë nuk do ta harroj atë fëmij, kurrë nuk do ta harroj. Zëri i tij sikur më buçet në vesh, si qeshte nëpër korridore të shkollës kur unë i prishja flokët dhe përpiqej vrap e vrap me i rregullu në korridor . Kurrë nuk do ta harroj. Gjaakmarrja nuk ia kurseu jetën atij”.

Për këtë arsye , ajo nuk jep hollësi mbi viktimat që ajo viziton sepse ka frikë se mos ata identifikohen.

Zakonisht ajo përfundon mësimdhënien, gatuan për familjen e saj, dhe pastaj udhëton për një orë për në fshatrat në “Bjeshkët e Nëmuna”.

“Unë mendoj se edukimi arsimor dhe psikosocial i këtij brezi që po rrezikon të mbetet i pashkolluar është një luftë mjaft e mirë dhe mjaft e fortë kundër fenomenit të gjakmarrjes. Kështu e mendoj unë. Mendoj se njerëzit e edukuar dhe të arsimuar ashtu siç duhet , nuk bie pre e fenomenit të gjakmarrjes . Nuk bien aq kollaj pre,” tha Luani .

Grupe të shoqërisë civile vlerësojnë se disa mijë njerëz , duke përfshirë edhe fëmijë të vegjël, jetojnë të ngujuar për shkak të gjakmarrjeve .


Comments


1111111.jpg
Lajme të fundit....

Tel: +386-49189797

Portali RilindjaShqiptare u themelua nga një grup i ekspertëve të gazetarisë me bashkpunëtor nga Kosova , Shqipëria dhe Maqedonia , në vitin 2016 .

Përball sfidave të gazetarisë bashkëkohore , të motivuar nga nevoja për lajme të shpejta dhe origjinale , në Kosovë , Shqipëri , Maqedoni , ndër shqiptarë dhe për shqiptarët - RilindjaShqiptare nuk ishte veçse një kërkesë e kohës .

Materialet dhe informacionet mund të kopjohen , të shtypen dhe të përdoren por vetëm pas referimit të qartë të burimit të Portalit RilindjaShqiptare , në përputhje me kushtet e përdorimit .

© 2016 Portali Rilindjashqiptare. Të gjitha të drejtat e rezervuara

bottom of page