Deri në vitin 1912 Kosova e kishte statusin e Vilajetit me kryeqendër Shkupin...?
- rilindjashqiptare
- Oct 22, 2016
- 2 min read

Nga Mr. sc. Fitim RIFATI
Në dy dekadat e para të shek. XX në Kosovë , e cila deri në vitin 1912 kishte statusin administrativ të vilajetit me kryeqendër Shkupin , në kuadër të Perandorisë Osmane , u përpunuan statistika të popullsisë nga provenienca të ndryshme .
Pos organeve administrative osmane , që bënë regjistrimin e popullsisë së Vilajetit të Kosovës , edhe organet administrative serbe , malazeze , bullgare e austro-hungareze hartuan statistika të popullsisë së Kosovës në harkun kohor të viteve 1913-1918 .
Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, i cili u formua më 1 maj të vitit 1918 në Shkodër , ishte një organizatë shqiptare në gjirin e së cilës u mblodhën intelektualë e prijës të shquar shqiptarë nga Kosova dhe vise të tjera shqiptare .
Qëllimi i këtij Komiteti ishte çlirimi dhe bashkimi i Kosovës (Shkupit, Kumanovës, Preshevës, Tetovës, Gostivarit, Kaçanikut, Ferizajt, Gjilanit, Prishtinës, Vushtrrisë, Mitrovicës, Pazarit të Ri, Rozhajës, Pejës, Plavës, Gucisë, Gjakovës, Prizrenit) me Shqipërinë. Me të përfunduar Lufta e Parë Botërore (nëntor 1918), në janar të vitit 1919 Fuqitë Aleate (SHBA, Britania e Madhe, Franca dhe Italia) u mblodhën në Paris për të vendosur mbi paqen në Evropë e rrjedhimisht edhe ndryshimin e kufijve të saj .
Gjatë kësaj kohe , Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me kryetar Hoxhë Kadri Prishtinën , u tregua mjaft aktiv që Konferencës së Paqes në Paris t’i ofronte prova të pa kontestueshme për shqiptarësinë e Kosovës , mizoritë serbo-malazeze e bullgare , që ishin ushtruar ndaj shqiptarëve në vitet 1912-1918 si pasojë e vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913 , të cilat copëtuan Kosovën dhe vise të tjera shqiptare në kurriz të monarkive pushtuese ballkanike .
Në këtë kontekst , ky Komitet i dërgoi kësaj Konference edhe statistika të popullsisë , të cilat argumentonin se popullsia e përgjithshme e Kosovës dominohej nga shqiptarët . Sipas një statistike të popullsisë së Kosovës , të hartuar nga ky Komitet , e cila është e përafërt me regjistrimet e mëparshme dhe konsiderohet e besueshme , sepse tregon për zvogëlimin e popullsisë së përgjithshme të kësaj treve shqiptare si pasojë e kolonizimit serb , vrasjeve dhe emigrimit të shqiptarëve e popujve të tjerë gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore , Kosova kishte një popullsi të përgjithshme prej 1.065.960 banorë , nga e cila 881.989 (82.74%) ishin shqiptarë, 99.952 (9.37%) serbë , 47.781 (4.48%) bullgarë , 30.462 (2.85%) boshnjakë , 3.955 (0.37%) turq, 1.115 (0.10%) hebrenj, 650 (0.06%) grekë dhe 56 (0.005%) vlleh .
Në këtë statistikë të popullsisë , pos 18 qendrave administrative , përfshihej edhe numri i përgjithshëm i popullsisë së Tetovës dhe rrethinës . Sipas kësaj statistike në Tetovë dhe viset përreth kishte 58.750 banorë , prej të cilëve 48.460 frymë ose 82.48% ishin shqiptarë , 5.340 frymë ose 9.08% ishin bullgarë dhe 4.950 frymë ose 8.42% ishin serbë . Pra , në këtë qendër të Kosovës banonin vetëm tri komunitete kryesore etnike: shqiptarët, bullgarët dhe serbët .
Duhet theksuar se statistika në fjalë u përdor nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, për t’i tërhequr vëmendjen Konferencës së Paqes në Paris , që Fuqitë Aleate të gjykonin objektivisht ndaj shqiptarëve të Kosovës e viseve të tjera shqiptare dhe të vendosnin e njihnin bashkimin e kësaj treve (përfshi edhe Tetovën) me Shqipërinë .
Comments