top of page
123.jpg

Lajm i mirë , nafta u lirua ...

  • Writer: rilindjashqiptare
    rilindjashqiptare
  • Oct 31, 2016
  • 2 min read

Çmimet e naftës në bursat botërore gjatë javës së kaluar u zvogëluan për rreth katër për qind, për shkak të skepticizmit të tregtarëve se prodhuesit e energjensit do të arrijnë marrëveshje për zvogëlimin e prodhimtarisë ditore të “arit të zi”.

Në bursën e Londrës nafta nga Deti Verior u lirua për katër për qind në 49,71 dollarë për barel, derisa çmimi i naftës së “lehtë” amerikane në bursën njujorkeze u zvogëlua për 4,3 për qind në 48,70 dollarë për barel.

Liderët e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEK) së bashku me përfaqësuesit e Rusisë dhe të shteteve të tjera prodhuese të derivatit në takimin në Vjenë të shtunën nuk arritën marrëveshje për zvogëlimin e prodhimtarisë ditore të “arit të zi”, qëllimi i së cilës është rritja e çmimit të saj në bursat botërore. Megjithatë, ashtu siç lajmëroi TASS, është dakorduar më 25 dhe 26 nëntor të mbahet takim i grupit të ekspertëve për negociata për zvogëlimin e prodhimtarisë së naftës.

Në takimin vjenez është biseduar për planin për reduktim të prodhimtarisë ditore të naftës në nivel prej 32,5 deri në 33 milionë barelë në çka insistojnë disa anëtare të OPEK-ut, si Arabia Saudite, Kuvajti, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, por nuk ishte arritur marrëveshje përfundimtare për shkak të kundërshtimit të disa shteteve prodhuese të këtij energjensi.

Që para fillimit të takimit në Vjenë, Irani paralajmëroi se nuk do ta zvogëlojë prodhimtarinë e tij të naftës, në përpjekje të ballafaqohet me pasojat e embargos së naftës prej disa viteve, e cila i ishte hequr në janar të këtij viti pas marrëveshjes për programin bërthamor iranian.

Iraku, gjithashtu, kumtoi se nuk do të pajtohet me zvogëlimin e prodhimtarisë së naftës, duke e arsyetuar vendimin e tillë të tij me faktin se vendi “bën luftë kundër grupit xhihadist Shteti Islamik (SHI).

Ministri i Kazakistanit për Energji Magzum Mirzagalive kumtoi se as Kazakistani nuk është i gatshëm të përfshihet drejt marrëveshjes eventuale për zvogëlimin e prodhimtarisë së naftës.

Përfaqësuesit e delegacionit rus refuzuan të japin çfarëdo lloj komenti për planet, por analistët vlerësojnë se Moska me siguri do të pajtohet në zvogëlimin e prodhimtarisë ditore të naftës, duke pasur parasysh se kohë më parë këtë e paralajmëroi edhe presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin.

Përfshirja e Rusisë drejt vendimit eventual të OPEK-ut për zvogëlimin e eksploatimit të naftës, është me rëndësi kyçe, për arsye se vendi është prodhuesi më i madh botëror i energjencit pas Arabisë Saudite, e cila veçmë filloi t’i ndjejë pasojat nga çmimi i ulët i “arit të zi”.

Analisti i “Snekos Neçërll Risors”, Xhefri Hejli konsideron se investitorët dyshojnë se OPEK do të arrijë të bëjë marrëveshje për zvogëlimin e prodhimtarisë.

Në kushte të këtilla analistët presin se çmimet e naftës edhe në periudhën në vijim do të mbesin stabile.

Për shkak të prodhimtarisë së rritur të energjensit, çmimet e naftës nga mesi i vitit 2014, deri në shkurt të këtij viti, ranë prej mbi 100 dollarë në rreth 30 dollarë për barel, që paraqiste vlerë të tyre më të ulët në 13 vitet e fundit.

Pas kësaj, muajve të fundit, çmimi i energjensit është stabilizuar dhe mbahet në nivel mes 40 dhe 50 dollarë për barel.


Comments


1111111.jpg
Lajme të fundit....

Tel: +386-49189797

Portali RilindjaShqiptare u themelua nga një grup i ekspertëve të gazetarisë me bashkpunëtor nga Kosova , Shqipëria dhe Maqedonia , në vitin 2016 .

Përball sfidave të gazetarisë bashkëkohore , të motivuar nga nevoja për lajme të shpejta dhe origjinale , në Kosovë , Shqipëri , Maqedoni , ndër shqiptarë dhe për shqiptarët - RilindjaShqiptare nuk ishte veçse një kërkesë e kohës .

Materialet dhe informacionet mund të kopjohen , të shtypen dhe të përdoren por vetëm pas referimit të qartë të burimit të Portalit RilindjaShqiptare , në përputhje me kushtet e përdorimit .

© 2016 Portali Rilindjashqiptare. Të gjitha të drejtat e rezervuara

bottom of page