top of page
123.jpg

Gjuha poetike e Asllanit për Havën, "Loti- det dhimbjesh"

  • Writer: rilindjashqiptare
    rilindjashqiptare
  • Dec 20, 2016
  • 4 min read

Gjuha poetike e Asllanit për Havën

Në përmbledhjen me poezi

“Loti- det dhimbjesh” e autorit Asllan Qyqalla.

Duhet të themi që në fillim se poeti ka kujdes të madh në përdorimin e gjuhës për ta bërë vargun, për ta shtjelluar artistikisht idenë dhe për ta bartur porosinë. Ai e ka kuptuar mirë se gjuha poetike nuk është vetëm poetike, po është gjuhë e shkruar me teknikat e shkrimit, duke bërë ligjërim me koherencë në nisjen, zbërthimin dhe përfundimin e idesë, ose të vetë temës së shtjelluar nëpërmes vargut poetik në poezinë e tij, në këtë vepër.

Për të thënë më shumë sot lidhur me këtë përdorim stili gjuhësor, të mjetit më rëndësishëm, gjuhës, kam shkëputur një poezi që përmbeldh artsitikisht idenë e Asllanit për:

  1. Havën - Hesti-hyjneshë e zemrës, familjes dhe harmonisë familjare

  2. Havën - pedagoge - hulumtuese dhe me 30 vjet pune në arsim

  3. Havën - dashuri e Asllanit, aq më shumë edhe pas ndarjes fizike me të.

Këto elemente i gjejmë te poezia Hesti

  1. Hava - Hesti - hyjneshë e zemrës, familjes dhe harmonisë familjare\

-Në vargjet e fundit të poezisë Hesti “ti flakron në kaltërsi, qiellit i dhurove hirësi, buzëqeshja jote oazë magjie Diell i paperënduar si Haesti…!, poeti e thotë të gjithë mendimin e tij për Hyjneshën e tij të zemrës e të familjes, të harmonisë familjare.

Sa do subjektive të na duken, po aq këto vargje shpërfaqin një realitet artistik, i nxjerrë fuqishëm nga një realitet objektiv, i ndjenjës që ka poeti për të dashurën e tij, për ta shprehur shumanshëm personalitetin e gruas hyjneshë, nënës hyjneshë, hyjneshë e harmonisë familjare. Me gjuhën e pastër poetike poeti nuk e fsheh afërsinë me hyjneshën, përkundrazi e shpërfaq harmonishëm brenda relacionit që ka me personalitetin, me hyjninë e saj.

Mesazhi njerëzor i poetit që nxirret nga ky relacion, për ta kërkuar sublimen e dashurisë, të dashurisë ndaj tjetrit, ndaj njeriut, është mesazh njeriu-për të dashurën e tij, për Hestinë e tij, - është shumë real, është njerëzor.

  1. Hava - pedagoge. Ata që e njohën e dinë mirë sjelljen e saj prej pedagogeje. Nuk mund të ishte pedagoge e mirë pa qenë nënë e mirë, grua e mirë, intelektuale e mirë. Poeti përpiqet t’i sublimojë këto elemente për ta nxjerrë fuqishëm në varg hyjneshën e tij.

Në një ditë kujtimi si kjo, në një orë si kjo apo edhe në një minut si ky, bëhen bashkë dhe shkrihen në një: malli për nënën, dashuria prindore, dashuria për gruan, e mbi të gjitha dashuria njerëzore për të afërmin, për njeriun me vlera intelektuale, atdhetare dhe njerëzore.

  1. Hava - dashuri e Asllanit. Dhe sublimja e dashurisë për njeriun mbetet duke përmbajtur në vete njerëzisht, ndienjërisht e intelektualisht, respektin për atë që e duam më së shumti; për njeriun me të cilin ndahen: dashuria, vështirësitë, të qeshurit, halli, hidhërimi e gëzimi, jeta.

Të gjitha këto tani, në një ditë si kjo, njerëzorja mbi të gjitha, ndjenja, mblidhen dhe bëhen bashkë si në një arkë kujtimesh, për atë që ikën nga jeta fizike, për Havën- Hestinë - hyjneshën e zemrës, të familjes dhe harmonisë familjare. Këto bëhen bashkë në art, në poezi për të shpërthyer me vrull, artisitkisht, përmes vargjeve dhe njerëzisht, si tani këtu, me nderimin që po i bëjmë përmes këtij përurimi të librit kushtuar “Hestisë” së poetit.

Është vargu i fuqishëm i poezisë që mund ta ndalë, ta ndalojë, ta harmonizojë, por edhe ta himnizojë dhembjen dhe krenarinë, hidhërimin e gëzimin, ta bëjë dashurinë sublime. Vargu i poezisë nuk e lë Asllanin të shpërthejë me lot për gruan, për nënën e fëmijëve, për familjaren. Vargu i tij është i fuqishëm bashkë me ato ndienja të kujtimit për Havën. Prandaj, me kujdes dhe me mjeshtri Asllani e ka gjetur mënyrën dhe mjetet për ta mbushur zbraztësinë e tij, për ta mbajtur në kontroll të gjithë “anijen” e tij ndjenjore familjare, kapiten i së cilës është vetë ai, vetë poeti.

Poeti e ka kuptuar dhe e ka zbatuar mirë se kujtimi më i mirë për dashurinë e tij ndaj gruas, mund të ruhet në prehrin e tij, jo në atë objektiv, por subjektiv, me një realitet tjetër shumë të fuqishëm, me shpërthim të përmbajtur, pra me realitetin artistik poetik, si një mjet balansi i mirë i dy anëve të një realiteti, i jetës dhe i pasjetës, në këtë rast.

Një varg poezie a një rresht arti janë më shumë se një shpërthim ndjenjash, janë më shumë se një porosi. Fundja poezia dhe arti në përgjithësi ka këtë mision që njeriu të iki nga udhëkryqi; na kujtohet takimi i Kadaresë me Lasgushin, kur ky i fundit, në një nga takimet e tyre, njëherë, duke e shikuar vëngër i thotë, të dy njëjtë jemi; po të dalim në një udhëkryq do t’i binim kokës së njerëzve, po është poezia ajo që s’na lë.

Është poezia që e bëri Asllanin që realitetin e tij me hidhërim ta kthejë në një realitet tjetër, në një realitet artistik, të ndieshëm, por më të përmbushur.

Përmes poezisë “Më fal, Hava” shohim se poeti e ka kuptuar mirë se duhet t’i kërkojë falje Havës, një herë, dy herë, tri herë, qindra herë dhe t’i duket pak, sikur nuk duhet ngopur me kërkimfalje. Është e kuptueshme se është kjo ndienjë e fuqishme dhe e përsëritur e poetit në situata arti si zbërthim i gjendjes reale të tij. Është përdorimi i gjuhës, është vetë gjuha që ia mundëson që në secilën gjendje të poetit, pas çdo kërkimfaljeje, ta vë prapë nën kontroll gjuhën si reflektim të gjendjes së tij reale. Gjuha është ajo që nuk e lë poetin t’i kalojë kufijtë e të thënës së mundshme dhe të nënkuptuarës, të pathënës për situatat e tij objektive, por të kthyera në gjuhën subjektive artistike figurative në vargje. Autori e nxjerr një diskurs kohesiv, poetik të balancuar me koherencë të pandërmjetshme të gjendjes së tij ndjenjore.

Sot, kërkimfalja përmendet ndër tri fjalë, nocione themelore të mirësjelljes, jo thjesht kurtuazi si: faleminderit, ju lutem dhe më fal!

Pa u hamendur,poeti Asllan QYQALLA i thotë më fal, Havës!


Comentários


1111111.jpg
Lajme të fundit....

Tel: +386-49189797

Portali RilindjaShqiptare u themelua nga një grup i ekspertëve të gazetarisë me bashkpunëtor nga Kosova , Shqipëria dhe Maqedonia , në vitin 2016 .

Përball sfidave të gazetarisë bashkëkohore , të motivuar nga nevoja për lajme të shpejta dhe origjinale , në Kosovë , Shqipëri , Maqedoni , ndër shqiptarë dhe për shqiptarët - RilindjaShqiptare nuk ishte veçse një kërkesë e kohës .

Materialet dhe informacionet mund të kopjohen , të shtypen dhe të përdoren por vetëm pas referimit të qartë të burimit të Portalit RilindjaShqiptare , në përputhje me kushtet e përdorimit .

© 2016 Portali Rilindjashqiptare. Të gjitha të drejtat e rezervuara

bottom of page