Vetura fluturuese izraelite shumë afër lansimit në treg [foto]
- rilindjashqiptare
- Jan 3, 2017
- 2 min read

Pas 15 vitesh pune e zhvillimi, një firmë teknologjike izraelite është shumë optimiste se ‘veturën fluturuese’, e cila është një dron që bartë pasagjerë, do të prodhohet dhe do të lansohet në treg në vitin 2020 .
“Cormorant”, e ndërtuar si veturë fluturuese, është e aftë që të transportojë 500 kilogramë peshë dhe të udhëtojë me shpejtësi deri në 185 kilometra në orë.
Fluturimin e parë autonom, por pa pasagjerë, e ka kryer në nëntor të 2016-ës, dhe vlerësohet se kushton rreth 14 milionë dollarë.
Zhvilluesit “Urban Aeronautics” besojnë se droni i gjelbër i errët, i cili përdor rotorë të brendshëm në vend të helikave, mund të evakuojë njerëzit nga mjediset armiqësore e të rrezikshme, e po ashtu të lejojë forcat ushtarake që të kenë qasje më të sigurt në ato terrene.
“Vetëm paramendoni ndonjë bombë të pistë në qytet apo substanca kimike të ndonjë lloji, dhe kjo makinë robotike, e pilotuar nga larg, mund të vijë në lagje e të dekontaminojë atë zonë”, tha shefi i “Urban Aeronautics”, Rafi Yoeli për Reuters, transmeton koha.net.
Yoeli e ka krijuar këtë kompani, e cila është me bazë në një hangar të madh në Yavne, në qendër të Izraelit, në vitin 2001 për të zhvilluar këtë dron, i cili sipas tij është më i sigurt se një helikopter, pasi mund të fluturojë në mes të ndërtesave e më poshtë se telat e rrymës, pa rrezikuar askënd.
Por ka ende shumë punë për të bërë para se kjo makinë autonome të dalë në treg.
“The Cormorant” është e madhe përafërsisht sa një veturë familjare, ndërsa më parë është thirrur “Air Mule”, dhe ende nuk i ka përmbushur standardet e Federatës së Aviacionit ndërsa testimi i tij në nëntor ka shfaqur një numër të madh problemesh.





Comments