Banka Botërore jep 70 milionë euro: Pse vendosëm të mbështesim Shqipërinë
- rilindjashqiptare
- Feb 1, 2017
- 2 min read

Bordi i Bankës Botërore, në Uashington, vendosi të martën që të aprovojë një hua prej 70 milionë eurosh për Shqipërinë, para që do të përdoren për të financuar një sëre projektesh që do të përmirësojnë klimën e biznesit në Shqipëri.
Vendimi është marrë nga drejtuesit më të lartë të Bankës Botërore, duke vlerësuar hapat e marrë nga Shqipëria dhe objektivat që ka përmbushur, të vendosur nga BB, FMN dhe partnerët e tjerë kyç gjatë këtij mandati qeverisës.
Në vendimin e saj bordi drejtues i Bankës Botërore duket se ka renditur një sërë arsyesh që e çaun të mbështesë sërish Shqipërinë.
Sipas Bankës Botërore, vlerësohet vendosja nën kontroll e financave shtetërore, reduktimi i borxhit publik dhe të defiçitit buxhetor.
Po ashtu Banka Botërore ka vlerësuar Shqipërinë në renditjen e saj të “Doing Business 2017”, ku vendi renditet i 58-ti mes 190 vendeve, ose 32 vende më lart se një vit më pare, shkruan Lexo.al
Banka Botërore vlerësoi mbylljen me sukses të misionit të parë të FMN-së në Tiranë, një mision të konsideruar si historik për nga roli që luajti në një moment ku shteti rrezikonte në 2013-n kolapsin financiar.
Ndër të tjera, Banka Botërore ka shprehur më parë vlerësimin për reformat themelore, si ajo e energjisë, e pensioneve dhe ajo e luftës kundër informalitetetit, që sipas saj shpëtuan vendin nga kolapsi i sigurt. Vetë Banka Botërore ka thënë më parë se “nuk e besonte që shteti shqiptar mund të ishte kaq i suksesshëm në reformën e energjisë, pasi për 25 vite ishim mësuar me premtime, por asgjë nuk ndryshonte”.
Vlerësimi i Bankës Botërore vjen gjithashtu pasi në 2016-n, Shqipëria regjistroi një rritje ekonomike prej 3,4%, më e larta në shtatë vjet dhe niveli i rritjes është në përshpejtim.
Një tjetër arsyetim i Bankës Botërore lidhet edhe me investimet e huaja direkte në Shqipëri, të cilat shënuan një rekord, duke kaluar vlerën e 1 miliard eurove, e duke qenë në nivelin e 9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Në bazë të këtyre të dhënave, Shqipëria është e dyta në Rajon për përthithjen e investimeve direkte, pas Malit të Zi.
Comments