top of page
123.jpg

Kultura dhe historiografia kombëtare vuan, sepse shqiptarët nuk lexojnë

  • Writer: rilindjashqiptare
    rilindjashqiptare
  • Jul 23, 2017
  • 3 min read

Nga Elis Buba

Shqiptarët vuajnë sepse nuk lexojnë.

Kultura dhe historiografia kombëtare vuan, sepse shqiptarët nuk lexojnë. Kush e pëson në këtë barazim?

Padyshim vlerat kombëtare. Kam kohë që kërkoj me ngulm një argument kundër këtij pohimi. Të qenit sipërfaqësor, me një media informative që qarkullon lajme pa i lexuar as vetë, me studentë që dorëzojnë detyra kursi e punë shkencore nga më të ndryshmet, pa e ditur as vetë se çfarë kanë të ndryrë në dosje, me parlamentarë që votojnë për aprovim ligjesh të cilat as vetë, por edhe sekretarët nuk i kane shfletuar e shqyrtuar, është shumë e trishtë.

Në një vend me shpirt të gjallë, vigoros, me dëshirë të madhe për jetë, çuditërisht kemi historianë që pakkush i njeh dhe kemi gazetarë që "tjerrin triko" shkencore, si të ishin historianë. I referohem kryesisht polemikës së ndezur mediatike mbi orgjinën e nënës së heroit kombëtar.

Ne vuajmë sepse nuk mund ta ballafaqojmë me dijet e me njohuritë tona as pohimin më të thjeshtë si ky:

Gjergj Kastrioti ishte i krishterë ashtu si gjithë shqiptarët para pushtimit otoman nuk është një zbulim i Mustafa Nanos. Por përdorimi i fesë së shqiptarëve tē asaj kohe si tezë mohuese ndaj lëvizjes së feudalëve shqiptarë për të bërë shtet është një hipotezë idhnake dhe e pafat e një gazetari dhe jo historiani të mirëfilltë. Kur gazetari shton dozën duke pretenduar se nëna e Gjergj Kastriotit ishte serbe, duke huazuar disa teori sllavo-serbe tregon se qëllimi i tij i vetëm është të tërheqë vëmëndje, të diskutohet dhe të flitet rreth marrëzisë së tij.

Ndërsa shqiptarët dynden duke parë historitë e sajuara të fiseve turke që bënë shtet duke luftuar me hanet e krishtera të Bizantit në serialet me Ertogrylin, zbuluam që kemi edhe shkrimtarë me andropauzë mendore që ngatërrojnë historinë me histeritē e trillimit.

Asgjë nga çfarë u tha më sipër një pjesë e mirë e atyre që valvisin flamujt gjithë zjarr kur luan kombëtarja, nuk e ka të qartë, e as mund ta kundërshtojë e as mund ta pohojë.

Ne gjithashtu vuajmë sepse jemi masivisht të palexuar për të ditur deri ku shkon e vërteta e deri ku shkon gënjeshtra në argumentin e mëposhtëm:

Vojsava qe Serbe, nga Prollogu afër Prilepit, dhe dinastia e mbretërve Serb qe Nemaja dhe qe në Prilep . Gjysmës së femijve të saj ajo u vuri emra sllav. Si për shembull një vlla i Skënderbeut e kishte emrin Stanisha, motrat Jelena,Vlajka, Mamica, Angelina dhe Mara por këto nuk kanë ndonjë rëndesi. Babai Gjoni, qe shqiptar katolik.

Plot bashkatdhetar dhe të tjerë lexues "patriotë", bihem menjëherë në këtë grackë llafollogjike. Dihet që politikat asimiluese dhe zvetënuese të vlerave të popujve që kemi fqinj, janë tepër të rrafinuara e të kopsitura deri në përafërsi të tjetërsimit të propagandës në histori dhe fe.

Edhe në dekadat e fundit ne kemi një përpjekje të furishme e të paskrupullt të qarqeve të ndryshme që me politika dhe praktika asimiluese ta zhdukin identitetin shqiptar, duke e konvertuar një emigrant shqiptar në Greqi për shembull, në ortodoks, e duke i tjetërsuar emrin në mënyrë që t'i garantohet pashaportizimi dhe nënshtetësia greke, duke iu fashitur në harresë kombësia shqiptare.

Përse të mos filtroni dijet dhe të kalisni të vetmin "muskul" që iu duhet më shumë se gjithçka në këtë jetë. Mendjen. Çfarë pengese keni, që nuk shfletoni vetë, por vareni pas argumentave të dikujt që ka lexuar më shumë se ju. Dituritë janë falas. Përse nguroni, përvetësoini?!

Unë nuk jam historian si edhe shumë prej jush. Unë jam gazetar, por vlerat historike të vendit tim, janë në themel të njohurive të mia.

Përse nuk mësoni nga Barleti që e jetoj kohën e heroit tonë kombëtar? E që e njohu vetë Gjergj Kastriotin.

Gjergj Kastrioti u lind nga nâna shqiptare me fe askohe ortodokse Vojsavë (Vaissa- vajza) Triballa, e bija e Gërgur Triballës nga Gradeci – Pollog, princ i Pollogut i shpallur në kishën e Leshës (Leshkë/Leshok), Tetovë, në dinastinë e Topiajve, dhe baba katholik shqiptar, Gjon Kastrioti, i biri i Pal Kastriotit me preardhje nga një familje fisnike e Matit-Dibrës (shtrirje gjeografike), princ i zonës përreth Krujës e Dibrës. Shkruan mes të tjerash Barleti.

Autoktonësia jonë është në diskutim sot. Ajo kombit shqiptar i mohohet me forcë prej shekujsh. Fatkeqësisht nuk mjafton një flamur "Autoctonus" si argument bindës, ne duhet të njohim dhe të mbrojmë me dinjitet rrënjët tona. /Shqiperiaime.al


Comments


1111111.jpg
Lajme të fundit....

Tel: +386-49189797

Portali RilindjaShqiptare u themelua nga një grup i ekspertëve të gazetarisë me bashkpunëtor nga Kosova , Shqipëria dhe Maqedonia , në vitin 2016 .

Përball sfidave të gazetarisë bashkëkohore , të motivuar nga nevoja për lajme të shpejta dhe origjinale , në Kosovë , Shqipëri , Maqedoni , ndër shqiptarë dhe për shqiptarët - RilindjaShqiptare nuk ishte veçse një kërkesë e kohës .

Materialet dhe informacionet mund të kopjohen , të shtypen dhe të përdoren por vetëm pas referimit të qartë të burimit të Portalit RilindjaShqiptare , në përputhje me kushtet e përdorimit .

© 2016 Portali Rilindjashqiptare. Të gjitha të drejtat e rezervuara

bottom of page