Udhëzimet e reja dietike: më pak sheqer, më pak mish, më shumë perime
- rilindjashqiptare
- Jul 27, 2017
- 3 min read

Udhëzimet e reja dietike të publikuara nga qeveria e Shteteve të Bashkuara sugjerojnë që njerëzit duhet ta reduktojnë konsumin e sheqerit dhe kripës përgjysmë, dhe ta rrisin konsumin e frutave, perimeve, fibrave dhe drithërave – ku asnjëra nuk është ndonjë largim i madh nga rekomandimet e mëparshme, transmeton koha.net.
Departamenti Amerikan i Bujqësisë dhe Departamenti Amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore i publikuan udhëzimet e reja, të cilat rishikohen çdo pesë vjet me qëllim të përshtatjes me hulumtimet e reja shkencore dhe shqetësimet shëndetësore për amerikanët.
Sugjerimet më të rëndësishme janë për modelet më të shëndetshme të ngrënies, duke e përfshirë një përqendrim në pjesën e shumëllojshmërisë së ushqimeve, densitetit dhe kontrollit ushqyes, të cilat janë të aplikuara në të gjithë grupet më të mëdha të ushqimit.
Udhëzimet nuk ndiqen nga shumica e njerëzve - tri të katërtat e amerikanëve nuk e hanë sasinë e rekomanduar të frutave dhe perimeve dhe përqindja e disa grupmoshave që i respektojnë udhëzimet janë në shifra njëshifrore – megjithatë ato konsiderohen të rëndësishme për profesionistët e të ushqyerit dhe shëndetit.
"Rreth gjysma e të rriturve amerikanë e kanë një ose më shumë sëmundje të parandalueshme, kronike që lidhet me dietë, duke i përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, diabetin e tipit 2, dhe mbipeshën dhe obesitetin," shkruajnë zyrtarët në përmbledhjen e Udhëzimeve Dietike 2015-2020. "Megjithatë, një grup i madh i provave tani tregon se modelet e të ushqyerit të shëndetshëm dhe aktiviteti i rregullt fizik mund t’i ndihmojnë njerëzit ta arrijnë dhe ruajnë shëndetin e mirë dhe ta zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve kronike në të gjitha fazat e jetëgjatësisë."
Disa prej ndryshimeve të dukshme përfshijnë: Sugjerimi që konsumi i sheqerit të jetë jo më shumë se 10 për qind i kalorive ditore, ose rreth 12 lugë të vogla; braktisja e sugjerimit për shmangie të kolesterolit duke i reduktuar ushqimet si vezët; sugjerimi i reduktimit të kafesë në tre deri në pesë filxhanë në ditë; dhe sugjerimi i reduktimit të konsumit ditor të kripës prej 2,300 miligramë nga mesatarja aktuale prej 3,440 miligramë.
Ndryshimi i udhëzimeve për mish dhe proteina shkaktoi debat, siç ka shkaktuar për dekada të tëra, ndërkohë që agjencitë i përshtatin mendimet e tyre për kolesterol, yndyra të ngopura dhe vetë mishin, gjë që e shkaktoi një vit jostabil në vitin 2015 ku Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se mishi i përpunuar mund të shkaktojë kancer.
Komiteti konsideroi t’u rekomandojë amerikanëve ta reduktojnë konsumin e mishit të kuq dhe të përpunuar, por u zmbraps nga kjo këshillë pas një reagimi të fuqishëm nga industria e mishit, përcjell NPR.
Në vend të kësaj, këshilla për mish është më delikate, duke theksuar që burrat dhe djemtë duhet të konsumojnë shumë më shumë mish të kuq se sa që do të duhej, dhe e theksojnë një "zhvendosje drejt ushqimeve të tjera proteinike", duke përfshirë më shumë fruta arrore, fara, dhe produkte të detit. Rekomandimet e tjera e përfshijnë reduktimin e konsumit të yndyrës së ngopur dhe kolesterolit, të cilat kanë ndikim në reduktimit të mishit në dietë gjithashtu.
"Mesazhi për të ngrënë më shumë ushqim deti, bishtajore dhe ushqime të tjera proteinike në fakt e nënkupton zëvendësimin e tyre për mish të kuq", tha Tom Brenna, profesor në Universitetin Cornell dhe anëtar i Komitetit Këshillimor të Udhëzimeve Dietike, për NPR. "Kështu që mendoj se mesazhi është përcjellë pak a shumë, vetëm se ai nuk është aq i qartë."
Derisa Shtetet e Bashkuara luftojnë me epideminë e obesitetit, dhe çrregullimet e tjera që lidhen me dietën dhe peshën, disa kritika për udhëzimet e reja sugjerojnë se nuk është bërë mjaft për t’i ndihmuar njerëzit që ta përmirësojnë shëndetin e tyre.
"Duke e pasur parasysh të njëjtën këshillë, nuk është e qartë se pse duhet të presim rezultate të ndryshme, sidomos kur të dhënat e konsumit tregojnë se gjatë dekadave të fundit, amerikanët, në fakt, e kanë ndjekur këshillën e USDA," tha për Washington Post, Nina Teicholz, anëtare e bordit në Nutrition Coalition, një grup që avokon për ndryshime në zhvillimin e këshillave dietetike të qeverisë.
Zyrtarët federalë thanë, megjithatë, se bazat e udhëzimeve - hani shumë fruta, perime dhe drithëra duke i reduktuar yndyrat e ngopura, natriumin dhe sheqerin - nuk kanë ndryshuar shumë në dekadat që kur qeveria e filloi publikimin e tyre.
Ndryshimet në azhurnimin e këtij viti kanë për qëllim të jenë graduale dhe të fillojnë me përmirësimin e dietave amerikane bazuar në statistikat kombëtare shëndetësore dhe hulumtimet që tregojnë se sa të këqija janë dietat e shumicës së njerëzve në Shtetet e Bashkuara.
"Ne duam t’i bëjmë gjërat më të lehta dhe më të thjeshta për konsumatorët", theksoi sekretarja për Shëndetësi dhe Shërbime Njerëzore, Sylvia Burwell, për NBC News. "Një nga gjërat kah të cilat i drejtojmë njerëzit janë ndryshimet e vogla."
Comments