top of page
123.jpg

Gjumi mund të ndikojë në fertilitetin mashkullor

  • Writer: rilindjashqiptare
    rilindjashqiptare
  • Aug 15, 2017
  • 3 min read

Gjumi i paktë apo i tepërt mund të ndikojë në aftësinë e mashkullit për ta lënë me barrë partneren, sugjeron studimi i ri.

Sasia ideale e gjumit duket të jetë 7 deri në 8 orë gjumë në natë, tha autorja e studimit Lauren Wise, profesoreshë e epidemiologjisë në shkollën universitare të shëndetit publik në Boston.

Në mesin e 790 çifteve të përcjella prej studiuesve, "zbuluam se kohëzgjatja e shkurtër dhe e gjatë e gjumit - më pak se 6 orë ose 9 ose më shumë orë në natë – lidhej me një probabilitet të reduktuar të shtatzënisë", tha Wise, transmeton koha.net.

Duke i përdorur 8 orë gjumë si pikë referimi, meshkujt që flinin më pak se 6 ose më shumë se 9 orë në natë "kishin 42 për qind probabilitet të zvogëluar të ngjizjes në çdo muaj të caktuar," shtoi ajo.

Shpjegimi kryesor është sigurisht hormonal, tha Wise. Ekspertët e fertilitetit e dinë se testosteronet janë vendimtare për riprodhim dhe pjesa më e madhe e lirimit ditor të testosteroneve tek meshkujt ndodh gjatë gjumit, shpjegoi ajo. Koha totale e gjumit, nga ana tjetër, është lidhur pozitivisht me nivelin e testosteronit në disa studime, shtoi ajo.

Të gjitha çiftet në studim po përpiqeshin për ngjizje, dhe ata ishin përpjekur ta arrinin këtë për jo më shumë se gjashtë cikle menstruale. Çiftet iu përgjigjën pyetjeve në lidhje me modelet e gjumit dhe nëse ata kishin probleme me gjumin. Meshkujt të cilët kishin probleme me gjumin më shumë se gjysmën e kohës kishin më pak të ngjarë ta linin shtatzënë partneren e tyre se sa ata që nuk kishin probleme me gjumë, konstatuan studiuesit.

Derisa studimi e gjeti vetëm një lidhje në mes të gjumit dhe fertilitetit, "ai nuk mund ta dëshmojë shkakun dhe pasojën", tha Wise.

Por lidhja mbeti deri edhe pasi që ajo i mori parasysh moshat e meshkujve dhe femrave, indeksin e tyre të masës trupore, frekuencën e marrëdhënieve të tyre seksuale, dhe faktorët e tjerë që njihen se ndikojnë në fertilitet.

Më shumë hulumtime janë të nevojshme, vuri në dukje Wise.

"Është e mundur që kohëzgjatja e ulët e gjumit mund të kontribuojë në një jetesë të pashëndetshme, reduktim të libidos (epshit), ulje të seksit, por ne u përpoqëm t’i kontrollojmë të gjithë këta faktorë," tha ajo.

Zbulimi është një lajm i mirëpritur për dr. Peter Schlegel, zëvendëspresident të Shoqatës Amerikane për Mjekësi Riprodhuese.

"Ka shumë pak të dhëna rreth asaj se si gjumi i meshkujve mund të ndikojë në fertilitet," tha ai. "Ne e dimë se çdo stres mund të ndikojë në fertilitet si tek femrat ashtu edhe tek meshkujt. Ky studim sugjeron fuqimisht se për meshkujt, 7 deri [më pak se] 9 orë gjumë ndihmon në optimizimin e fertilitetit të tyre dhe shanseve të tyre për të kontribuar në shtatzëni."

Në bazë të këtij hulumtimi të ri, mjekët që i këshillojnë çiftet duhet të flasin rreth asaj se sa gjumë bëjnë meshkujt, tha Schlegel. Sa për femrat dhe gjumin, "nuk e dimë me siguri," tha ai.

Një hulumtim tjetër sugjeron se ngrënia e më shumë frutave dhe perimeve ofron prodhim më të mirë të spermës sesa mishi dhe yndyrat, tha Schlegel, i cili është kryesues i urologjisë në Weill Cornell Medicine në New York. Meshkujt të cilët janë në një peshë të shëndetshme në përgjithësi kanë gjithashtu fertilitet më të mirë.

Një kufizim i studimit, tha Schlegel, është se studiuesit nuk i matën nivelet e spermatozoideve. "Por, ata e shikuan kohën e shtatzënisë," tha ai, dhe "shumica do të thonë se mundësia e ndodhjes së shtatzënisë është ndoshta masa më e mirë."


Comments


1111111.jpg
Lajme të fundit....

Tel: +386-49189797

Portali RilindjaShqiptare u themelua nga një grup i ekspertëve të gazetarisë me bashkpunëtor nga Kosova , Shqipëria dhe Maqedonia , në vitin 2016 .

Përball sfidave të gazetarisë bashkëkohore , të motivuar nga nevoja për lajme të shpejta dhe origjinale , në Kosovë , Shqipëri , Maqedoni , ndër shqiptarë dhe për shqiptarët - RilindjaShqiptare nuk ishte veçse një kërkesë e kohës .

Materialet dhe informacionet mund të kopjohen , të shtypen dhe të përdoren por vetëm pas referimit të qartë të burimit të Portalit RilindjaShqiptare , në përputhje me kushtet e përdorimit .

© 2016 Portali Rilindjashqiptare. Të gjitha të drejtat e rezervuara

bottom of page