Luljeta Pula me urim të veçantë për gjyqtarin serb të Gjykatës Kushtetuese-Foto
- rilindjashqiptare
- Aug 10, 2018
- 2 min read

Ish-politikania, Luljeta Pula ka pas një urim të veçantë për gjyqtarin serb, Radomir Leban i cili u dekretua gjatë ditës së djeshme nga presidenti i vendit Hashim Thaçi Në mesazhin të cilin Pula ia ka dërguar gabimisht një qytetari, të cilin ai e ka dërguar tek Gazeta Insajderi, ish-politikania e uron Labanin në gjuhën serbe duke i uruar suksese derisa në fund e përshëndet duke i shkruar “Nëna e Arbaninës, Luljeta Pula. “I nderuari zotëri Laban. Urimet e mia më të përzemërta për dekretimin tuaj. Ju dëshiroj gjithë të mira juve dhe familjes tuaj dhe shumë suksese në punën tuaj të mëtutjeshme. Nëna e Arbaninës. Luljeta Pula”, thuhet në mesazhin e Luljeta Pulës. Insajderi ka kontaktuar Pulën lidhur me mesazhin dhe ajo ka thënë se dërgimi i këtij mesazhi ka qenë vetëm shoqëror. “Kam dërguar në mënyrë komplet shoqërore, vajza ime punon me të, ka miqësi si me të gjithë të tjerët dhe e kam parë të arsyeshme me ja uruar dhe nuk po shoh ndonjë problem këtu, ai është koleg i vajzës sime dhe është tepër korrekt me të”, ka thënë Pula për Insajderin. Radomir Leban, i cili u dekretua dje nga Presidenti Hashim Thaçi si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, është në listën e Interpolit me kërkesë të Serbisë. Gazeta Insajderi ka raportuar menjëherë kur Leban u votua nga deputetet e Kuvendit të Kosovës, se ai kërkohet nga shteti serb për të vuajtur dënimin me 6 vjet burgim. Ka tri vjet që ai kërkohet nga Serbia, pasi është dënuar për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe kontrabandën. Ai ishte pjesë e “Mafisë doganore”, që kishte kontrabanduar mallra. “Mafia doganore”, pjesë e së cilës ishte Leban, gjatë kryerjes së kontrabandës me kamionë, kishin përdorur arsyetimin e kontrollit “të jashtëzakonshëm” dhe meqë ligji lejonte një gjë të tillë, mallrat futeshin me dokumentacion si “mallra në transit” dhe i dërgonin nëpër depo. Në këto depo i hiqnin të gjitha vulat dhe i shpërndanin mallrat nëpër Serbi. Autoritetet kosovare janë arsyetuar se urdhërarresti i Serbisë nuk zbatohet për shkak se Leban është shtetas i Kosovës dhe se urdhërarrestet e Serbisë injorohen gjithmonë për shkak të mungesës së bashkëpunimit. /Insajderi.com

Comments