Fushata zgjedhore në Serbi “zbulon” se Pacolli ka lobuar që Jeremiqi të jetë kryetar i OKB-së
- rilindjashqiptare
- Aug 26, 2018
- 1 min read

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka theksuar se Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë “e vetëshpallur të Kosovës”, edhe pse, siç tha ai, shumë do të donin të ndodhte kjo dhe shtoi se tërheqja e njohjeve të pavarësisë së Kosovës është temë e politikës së tij të përditshme, raporton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”. “Tërheqja e njohjeve të pavarësisë së Kosovës është temë imja e përditshme. Nuk është aspak e lehtë. Për gjatë mandatit tim, gjashtë shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës, ndërsa gjatë mandatit të Boris Tadiqit dhe Vuk Jeremiqit, mbi 80 shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, tha Daçiqi gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale në Majdanpek, transmeton Koha.net. Ai shtoi se Tadiqi dhe Jeremiqi nuk dinë se as ku gjenden në hartë vendet që kanë tërhequr njohjet. Ndërsa, presidenti i partisë Serbia Unike, Dragan Markoviq Palma, ka thënë se “të ashtuquajturën Kosovë të pavarur e ka krijuar Bill Clintoni dhe disa armiq të popullit serb”, ndërsa, siç tha ai, Vuk Jeremiqi e ka çimentuar dhe betonuar pozicionin serb si dhe u ka ndihmuar shqiptarëve të Kosovës që sot të kenë statusin e sotëm në marrëdhëniet ndërkombëtare. “Më telefonoi një gazetar shqiptar dhe më tha se ka ardhur deri tek përplasja e Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt me Behgjet Pacollin, sepse Thaçi dhe Haradinaj duan që Vuk Jeremiqi të shpallet qytetar nderi i Prishtinës, ndërsa Pacolli ka thënë se ka shpenzuar shumë para në Jeremiqin duke lobuar që ai të jetë kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së”, ka thënë Markoviqi.
コメント