“Nëse Thaçi e shpërfill Vetëvendosjen, atëherë e pret kjo gjë”
- rilindjashqiptare
- Aug 27, 2018
- 2 min read

Glauk Konjufca, shef i deputetëve të VV-së, ka konfirmuar se sot kanë zhvilluar disa takime me partitë tjera të opozitës, takime këto që kanë të bëjnë me përpjekjen e presidentit Hashim Thaçi e cila prek direkt kufijtë e Kosovës.
“Më mirë është që ne të gjithë si popull të vendosim për Thaçin, sesa ai për të gjithë neve. Ne u pajtuam që para se ai të shkojë në Bruksel më 7 shtator, duhet të mblidhemi dhe t’i tregojmë se kjo është e pamundshme. Kuvendi të dalë me një dokument që do t’i tregojë atij se është e pamundshme që ai t’i vë në pazar kufijtë e Kosovës”, tha Konjufca në Interaktiv të KTV-së.
Sipas tij, nëse seanca e jashtëzakonshme do të varej nga shumica e Kryesisë së Kuvendit, ajo s’do të mbahej kurrë.
Ndërsa, sipas tij, e vetmja hapësirë është mbledhja e 40 nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme dhe pastaj mbledhja e Kryesisë është obligative.
“Nesër do ta finalizojmë këtë çështje në një takim mes subjekteve opozitare dhe do t’i japim formë dokumentit apo rezolutës”, shtoi ai.
Duke folur për reagimin e Veselit ndaj thirrjes së seancës, Konjufca tha se ai po ndjell diçka të keqe për Kosovën në kuptimin e vendimmarrjes më 7 shtator.
“Përndryshe, ne po dëshirojmë të ndalojmë presidentin në këtë çështje. Një temë ka qenë e dijshme që nga paslufta, që kufijtë e Kosovës janë të pakontestueshëm. Populli i Kosovës ka punuar shumë gjatë për këtë liri. Edhe më 1999, edhe më herët, populli ka qenë lëvizje shoqërore dhe popullore, e tash për herë të parë në historinë tonë po shihet se një njeri i vetëm po mundohet ta bëjë projekt politik i cili po dëshiron të vendos për të ardhmen e vendit. Nuk bën të ndodhë kjo dhe populli duhet të ngrihet dhe t’ia tregojë vendin këtij njeriu. Nëse frikësohet nga Specialja, duhet ta shpjegojë këtë brengë para popullit”, u shpreh shefi i deputetëve të VV-së.
Ai thotë se Rezoluta e propozuar nga partitë opozitare do të ketë disa parime që janë etike për Kosovën dhe të cilat nuk do të guxonte t’i shkelte askush.
“Si p.sh., integriteti territorial i Kosovës është i padiskutueshëm, që askush nuk ka mandat që në emrin e tij personal t’i vë në pikëpyetje kufijtë tanë, pastaj ta personalizojë dialogun me Serbinë.
Nuk është çështje vetëm e opozitës se a do t’i votojë apo jo. Mendoj se është shumë në interes të Kosovës vendosja e disa pikave, dhe do të merrte më shumë vota sesa të vetëm të opozitës.
Mendoj se edhe deputetët e PDK-së do ta votonin mos-hapjen e çështjes së integritetit territorial të Kosovës. Sado që të jenë të lidhur me presidentin Thaçi, kur të vijë puna në fund, e kur Thaçi i detyron ata të zgjedhin mes Kosovës dhe zotit Thaçi, mendoj se zgjedhja është e qartë”, deklaroi Konjufca.
Comments