Presidenti hipokrit: Dje me serbët pranë Vuçiqit, sot me nënat gjakovare
- rilindjashqiptare
- Aug 28, 2018
- 2 min read

Presidenti Thaçi është me të gjithë. Kjo sepse dje e siguroi Natasha Kandiqin se serbët do të lejohen të hyjnë në Gjakovë, ndërsa sot thotë se ai i përkrah nënat gjakovare, të cilat po protestojnë për të mos u lejuar pelegrinët serbë.
Qytetarët në Gjakovë kanë nisur protestën kundër ardhjes së pelegrinëve serbë në qytetin e tyre. Ata po protestojnë me parullat “S’ka qetësi pa drejtësi” dhe “Gjaku i fëmijëve shqiptarë të vrarë nga Serbia nuk falet”. Presidenti Hashim Thaçi thotë se është pranë nënave gjakovare dhe do t’i kuptojë ato edhe nëse nuk tregojnë tolerancë. “Me nënat gjakovare dhe të gjitha nënat kosovare e ndiej dhe ndaj dhembjen për humbjen e me të dashurve të tyre. I siguroj ato dhe gjithë nënat kosovare, si dhe të gjithë qytetarët e Kosovës se kriminelët dhe vrasësit që kanë kryer krime, kurrë nuk do të mund të kthehen në Kosovë”, ka shkruar Thaçi në Facebook. “Ne nuk do të harrojmë kurrë çfarë kemi përjetuar. Me respektin më të madh ju thërras për tolerancë dhe mirëkuptim. Por, edhe në rast se ju veproni ndryshe, unë përsëri ju kuptoj dhe ju respektoj njësoj. Një nënë është nënë kudo në botë, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare”. Vetëm një ditë më parë, drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, kishte kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi, ta bënte të mundur këtë vizitë të serbëve në Gjakovë, ndërsa Presidenti ishte përgjigjur se “është e paimagjinueshme dhe është e papranueshme që dikush të cenojë të drejtat ose të mos lejojë vizitën e qytetarëve serbë në objektet fetare, qoftë në Gjakovë ose kudo tjetër anembanë Kosovës”. Postimi i plotë i Presidentit sot: Me nënat gjakovare dhe të gjitha nënat kosovare e ndjej dhe ndaj dhembjen për humbjen e me të dashurave të tyre. I siguroj ato dhe gjithë nënat kosovare, si dhe të gjithë qytetarët e Kosovës se kriminelët dhe vrasësit që kanë kryer krime, kurrë nuk do të mund të kthehen në Kosovë. Kudo që janë, ata nuk do të jenë të qetë, derisa të japin llogari përpara drejtësisë. Ne nuk do të harrojmë kurrë çfarë kemi përjetuar. Me respektin më të madh ju thërras për tolerancë dhe mirëkuptim. Por, edhe në rast se ju veproni ndryshe, unë përsëri ju kuptoj dhe respektoj njësoj. Një nënë është nënë kudo në botë, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare. Ajo ka nevojë të derdhë lotë dhe të vendosë lule pranë varrit të djalit, vajzës, burrit, motrës, mbesës apo nipit. Të njëjtën të drejtë e ka edhe një baba, një vëlla apo një motër. Secili ka të drejtë ta shuajë mallin dhe të shprehë dhembjen për më të dashurit e tij. HTH
Comments