Përzgjedhësi i Skocisë paralajmëron Shqipërinë para ndeshjes
- rilindjashqiptare
- Sep 9, 2018
- 2 min read

Ndërsa Shqipëria luante dhe fitonte kundër Izraelit ndeshjen e parë në grup, për Ligën e Kombeve, Skocia, skuadra tjetër e grupit, luante kundër Belgjikës dhe mundej 4-0 mbrëmjen e së premtes.
Tashmë gjithçka është lënë pas dhe Skocia do të presë Shqipërinë të hënën në mbrëmje në Glasgou për ndeshjen parë të Ligës së Kombeve (e dyta për Shqipërinë). Trajneri i skocezve është kritikuar për humbjen në miqësore ndaj Belgjikës, ndonëse ishte e qartë se kundërshtari ishte ekipi që doli në vendin e tretë në Kampionatin Botëror të dy muajve më parë. Gjithsesi Alex McLeish ka një kërkesë të veçantë për këtë ndeshje, ai kërkon mbështetjen e tifozëve ndaj Shqipërisë.
“Ne e dimë se në Hampden lojtarët do të duhet të reagojnë dhe të rrisin lojën e tyre. Nuk e dimë se sa tifozë do të jenë në stadium, por do të ishte e shkëlqyeshme për djemtë, nëse do të kishim shumë tifozë për të na mbështetur”-është shprehur trajneri i Skocisë, duke vijuar: “E dimë që nuk është aq tërheqëse sa Belgjika, por kjo është një ndeshje zyrtare. Në çdo triumf tonin në Hampden kemi pasur të paktën 40 deri në 50000 mijë tifozë që na kanë mbështetur”-shprehet Alex McLeish.
Më tej trajneri skocez është shprehur se skuadra e tij nuk do të luajë e mbyllur në mbrojtje, duke parkuar autobusin për 90 minuta. “E vetmja gjë që duhet të ndryshojë jemi ne. Të gjithë jemi dakord për mënyrën se si duhet të luajmë. Nuk duam të parkojmë autobusin në portën tonë për 90 minuta. Gabimet individuale përsëri na prishën punë të premten, duke kontribuar në tre nga golat që pësuam”-shton McLeish.
Në fund ai ka shtuar se Skocia duhet të fitojë ndeshjen e së hënës. “Nuk mund të ulem këtu dhe të them se nuk kemi nevojë të fitojmë dhe të themi që jemi akoma duke eksperimentuar. Jo, sigurisht që duam të fitojmë, dhe ne duhet të fitojmë”-ka thënë trajneri i ekipit kombëtar të Skocisë, Alex McLeish.
Comments