top of page
123.jpg

Embargoja ndaj Serbisë përfshin mijëra artikuj, dyshime nëse Kosova do t'i qëndrojë presionit

  • Writer: rilindjashqiptare
    rilindjashqiptare
  • Nov 7, 2018
  • 2 min read

Kosova blen gjithçka nga Serbia, prej ujit e miellit deri tek kafshët e gjalla. Qeveria e Kosovës ka vendosur që të sanksionojë Serbinë ekonomikisht si kundërpërgjigje ndaj qasjes e saj politike agresive ndaj Kosovës. Secili produkt serb që hyn në Kosovë do të taksohet me 10 për qind. Njëjtë edhe produktet e Bosnjës. 

Express ju sjell një listë të gjatë me mijëra produkte të cilave u vihet taksa shtesë, por do të kursehen produktet ndërkombëtare që në Kosovë hyjnë nga Serbia. Kryeministri Ramush Haradinaj ishte i vetëdijshëm se po fillonte një dramë me vendimin e tij, por ekzistojnë dyshime nëse qeveria do t’i bëjë ballë presionit.

Miliona euro ka kushtuar vetëm uji i pijshëm që Kosova e ka importuar nga Serbia gjatë gjashtë muajve të vitit 2018. Kjo është vetëm vazhdimësi e një tregtie tejet të njëanshme që bëhet mes Kosovës e Serbisë. Qeveria e Kosovës ka vendosur taksë ndaj mijëra produkteve serbe që hyjnë në Kosovë si kundërpërgjigje. Ekzekutivi kosovar vendosi që ta sanksionojë Serbinë përmes mallrave që kjo i eksporton në Kosovë. Përveç Serbisë, e sanksionuar me vendim të Qeverisë doli edhe Bosnja e Hercegovina. Tarifë shtesë prej 10 për qind do të kenë të gjitha produktet serbe e boshnjake që hyjnë në Kosovë, vetëm se këtu nuk përfshihen produktet e brendeve ndërkombëtare që prodhohen në Serbi e në Bosnjë. Kosova importon mijëra mallra që prodhohen nga kompani të mëdha botërore në Serbi, e që shiten më vonë në Kosovë. Këto nuk do të jenë të sanksionuara. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë për Gazetën Express se produktet e brendeve ndërkombëtare që prodhohen në Serbi nuk u kanë vënë taksa shtesë pasi “Ato nuk janë produkte serbe, janë brende ndërkombëtare qe vijnë nga vende mike të Kosovës dhe si të tilla nuk mund t’i sanksionojmë pasi vendet prej nga vijnë këto brenda janë vende aleate, mike te Kosovës”, thotë Shala. Sipas ekonomistit Hekuran Murati, Qeveria mori vendim të tillë, pasi dëshiron t’i tregojë Bashkimit Evropian se mund të bëjë tollovi, nëse nuk liberalizohen vizat. “Vendimi i sotëm për taksë 10% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, vjen nga një pozitë e dobësisë, jo e fuqisë. Ky vendim duhet të shihet ashtu si është - një tentim i dëshpëruar i Qeverisë tonë për ta shantazhuar BE-në, tani që po shihet fushës se vizat nuk do të hiqen, edhe pasi dhamë tokë”, ka shkruar Murati në Facebook. Ai nuk beson se vendimi i Qeverisë do të zgjasë më shumë se deri në fund të javës ose në fund të muajit Kur kryeministri tregoi të martën për vendimin që ka marrë, tha se pret që situata të dramatizohej. Menjëherë në adresë të tij shkuan reagime nga Bashkimi Evropian. I pari ishte ai i Zyrës së Përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherini. “Bashkimi Evropian, kërkon sqarim urgjent për vendimin e papritur të Qeverisë së Kosovës për rritje të taksave të importit të produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Komisionit Evropian, Maja Kocijancic. 


Comments


1111111.jpg
Lajme të fundit....

Tel: +386-49189797

Portali RilindjaShqiptare u themelua nga një grup i ekspertëve të gazetarisë me bashkpunëtor nga Kosova , Shqipëria dhe Maqedonia , në vitin 2016 .

Përball sfidave të gazetarisë bashkëkohore , të motivuar nga nevoja për lajme të shpejta dhe origjinale , në Kosovë , Shqipëri , Maqedoni , ndër shqiptarë dhe për shqiptarët - RilindjaShqiptare nuk ishte veçse një kërkesë e kohës .

Materialet dhe informacionet mund të kopjohen , të shtypen dhe të përdoren por vetëm pas referimit të qartë të burimit të Portalit RilindjaShqiptare , në përputhje me kushtet e përdorimit .

© 2016 Portali Rilindjashqiptare. Të gjitha të drejtat e rezervuara

bottom of page