Zhvillimet rreth Ligjit për paga po shihen si “skenar i Thaçit për destabilizim”
- rilindjashqiptare
- Dec 6, 2019
- 2 min read

Ashtu siç edhe kishte paralajmëruar, Avokati i Popullit, Ligjin për paga e dërgoi në Gjykatës Kushtetuese pasditen e së enjtes. Kështu, Sindikatat e ndërmarrjeve publike ajo e KEK-ut dhe Telekomit dolën fituese ndaj sindikatave të tjera asaj të Arsimit, Shëndetësisë dhe Policisë , që ishin kundër këtij veprimi, raporton KTV. Krejt këto zhvillime sindikale dhe vendimi i Avokatit të Popullit, po quhen skenar i presidentit Hashim Thaçi, nga ish-deputeti dhe anëtari i LDK-së Haxhi Avdyli. Avdyli thotë se ky plan i Thaçit po bëhet me qëllim që të krijohen trazira për t’i vënë në siklet dy partitë e para fituese të zgjedhjeve VV-në dhe LDK-në. Ai shton se edhe sindikatat të cilat janë për këtë ligj dhe Avokati i Popullit, po bien pre e lojërave politike të cilat i quan të rrezikshme për vendin. Por, Sindikata e Arsimit është e zhgënjyer me veprimin e Avokatit të Popullit derisa sërish paralajmërojnë se mund të ketë edhe greva. Sindikalistët thonë se nuk janë të ndikuar nga askush, por thjesht sipas tyre, po i mbrojnë interesat e mbi 60 mijë punonjësve publikë. Jashari, kryetar i SBASHK-ut ka thënë se do t’i drejtohen presidentit, kryeministrit në detyrë dhe dy partive VV-së dhe LDK-së që të ndërmarrin masa. Ndryshe, veprimet sindikaliste janë të pashmangshme. Ndërkohë sindikata e KEK-ut , e ka mirëpritur vendimin e Avokatit të Popullit. Por, nga kjo sindikatë janë të shqetësuar me faktin se punëtorët e kësaj korporate do dëmtohen nëse gjykata vonohet në ndonjë vendim dhe si pasojë, ligji nis të zbatohet. Dërgimi në Kushtetuese i ligjit për paga i cili hyri në fuqi më 1 dhjetor, erdhi pasi Avokati i Popullit, kishte pranuar ankesa të shumta nga kategori të ndryshme për pabarazi dhe diskriminim.
留言